Kohëve të fundit tregu i tabletëve është duke u shuar ngadalë, por ende ka kërkesa të mjaftueshme nga njerëzit që i bëjnë kompanitë të interesohen për të dizajnuar pajisje të reja.
Tani, kompania Asus paralajmëron tablet të ri premium Android i cili pritet që të jetë rival i drejtpërdrejtë i tabletit të Samsungut, Galaxy Tab S2, dhe serisë së tabletëve iPad të Apple-it.
Tableti i ri ZenPad 3S 10 vjen me ekran 9.7-inç me rezolucion prej 2048 x 1536 pikselë, procesor 2.1 GHz 64-bit MediaTek MT8176, 4 gigabajt RAM memorie dhe 32 gigabajt memorie të brendshme me mundësi zgjerimi, si dhe me baterinë prej 5.900 mAh.
Gjithashtu, ZenPad 3S 10 vjen me portin USB Type-C me mbështetje për karikim të shpejtë, kamerën kryesore prej 8 megapikselë dhe atë të përparme prej 5 megapikselë.
Asus ZenPad 3S 10 kur do të lansohet globalisht, pritet të ketë çmimin prej rreth 350 dollarë.